SI URDHËRON ZOTI SHEF …!

May 9, 2013 0

 

Urdhërdhënës – urdhërzbatues, legjislativ – ekzekutiv … – Politikë? – Jo. – Inkuizicion? – Joooo!

- Atëherë çfarë?! – Është vetëm një fabul me personazhe të pazakonta: organizëm me sisteme e nënsisteme, organe e shqisa, gjëndra sekrete, celula e organele me anatomi e fiziologji të përcaktuar, me detyra e role si në një shfaqje teatrale. Sidoqoftë, t’i lëmë fjalët e t’i futemi temës:

Këshilli Drejtues i organizmit të njeriut kishte caktuar një takim të rëndësisë së lartë. Nëpër karrige janë ulur të gjithë organet, presin të futet në sallë drejtuesi i mbledhjes. Hyn Truri me pompozitet e ulet me solemnitet. Heq syzet dhe përshëndet të pranishmit duke e shpallur mbledhjen të hapur.

- Procesverbalshkruese: Dora. Pikat e rendit të ditës:

1. Zgjedhja e shefit të organizmit;

2. Zgjedhja e organeve të tjera drejtuese.

- Fillojmë me pikën e parë. Në fakt, s’kemi ç’flasim lidhur me këtë pikë sepse nuk diskutohet që ky post më takon mua – nis bisedën Truri. Besoj se nuk ka nevojë t’i numëroj meritat për funksionim perfekt tuajin dhe të tërë organizmit sepse ju i dini të gjitha. Meritoj të jem shefi, apo jo? Po meqë jemi strukturë demokratike, le ta hedhim propozimin në votim, kuptohet, si akt të kryer.

- Me leje – u hodh Zemra duke marrë fjalën. – Pak më avash merre atë aktin e kryer dhe ato merita, se jam unë pa je ti! Pa lëngun e kuq që pompoj unë të paktën një herë në sekondë çfarë do të bënit ju të tjerët? Është kontribut, punë, mund, jo vetëm thjesht meritë, ndaj shef duhet të zgjidhem unë.

- Ka mundësi të themi edhe ne diçka – ngritën dorën Mushkëritë të ulura në rreshtin e parë.

- Po, urdhëroni – tha Truri, duke ndjerë se mbledhja po i rrëshqiste në drejtim të padëshiruar.

- Askush nuk ua mohon meritat sepse i dimë të gjithë, po që të dilni përpara Mushkërive e të mburreni aq shumë, më falni, po më duket se e teproni. Që të mos e zgjasim shumë e të bëhemi të bezdisshëm, vetëm duam t’ju themi se posti i shefit na takon neve. Ku s’ka oksigjen nuk ka as jetë. Kaq kisha. Faleminderit!

Iu dha fjala pastaj sipas radhës Lukthit, Veshkave, Mëlçisë dhe të gjithë të tjerëve duke elaboruar secili rolin dhe rëndësinë që kishin dhe duke pretenduar njëkohësisht çdonjëri se pikërisht ai duhej të ishte shefi. Diku nga fundi i sallës Zorra e Trashë ngre pandërprerë dorën dhe ngulmon që të marrë fjalën, por meqë nuk ia var kush, godet tavolinën me sa fuqi që ka, brof në këmbë dhe thërret me tërë fuqinë e zërit: – Shefi do të jem unë dhe pikë! Të gjithë hapën sytë të trembur në fillim, po pastaj ia dhanë të qeshurave shpërfillëse.

- Edhe kjo paska pasur diçka për të thënë – reagon me ironi Truri dhe deklaron mbledhjen të mbyllur duke caktuar një takim tjetër për zgjedhjen e shefit pas një jave, pasi të shoshiteshin punët mirë e mirë. Për pikën e dytë të rendit të ditës as që u debatua.

Vazhduan punën organet me zell e përkushtim. Goja bluaj, Fyti gëlltit, Lukthi mbushu, Zorrët e Holla fryu. Zorra e Trashë e ka vendosur, ka shtrënguar radhët e rrathët në fundin e saj dhe s’lejon asgjë të zbrazet, të dalë jashtë. Durim një ditë. Durim dy ditë. Tri ditë durim. Truri filloi të humbasë logjikën e baraspeshën, Zemra ritmin, Mushkëritë rregullshmërinë e frymëmarrjes … Shkurt, çrregullim total i organeve dhe organizmit. Në ditën e katërt durimit i erdhi fundi. Mbledhje e jashtëzakonshme, urgjente. Propozimi dihej. Zgjidhet shefi i ri (Zorra e Trashë) me të gjithë votat pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Merr edhe fjalën:

- Faleminderit për besimin! Pa e zgjatur, futjuni detyrave shpejt pasi kemi përpara shumë punë që presin zgjidhje. Qartë?!

- Si urdhëroni zoti shef, nën urdhrat tuaja!

Pa keqkuptime, nuk bëhet fjalë për disa shefa, mbase të paktë, që janë tru e zemër bashkë, po për disa të tjerë që edhe zorra e trashë do të ofendohej po ta krahasonin me ta. Mësimin moral s’është nevoja ta paraqes sepse e kuptoni vetë.

 

Natmir Arifi    

Leave A Response »