Liqeni i Ohrit – kjo perlë e natyrës (FOTO)

May 11, 2013 0

Liqeni i Ohrit është pasuria më e madhe që natyra u ka falur njerëzve të kësaj ane. Liqeni nga më të bukurit në botë është krenaria e tyre, por edhe burim i të ardhurave materiale për një pjesë të mire të qytetarëve. Krahas bukurisë së rrallë, florës dhe faunës së pasur, këtë liqe e karakterizojnë edhe disa fshehtësi që janë komentuar dhe komentohen nga adhuruesit e tij.

Të shumta janë gojëdhënatdhe legjendat që lidhen me liqenin e vjetër dhe të bukur. Ato flasin për lidhjen e ngushtë dhe dashurinë që kanë njerëzit e kësaj ane për këtë perlë të natyrës. Por sipas tyre edhe liqeni mban qëndrimin e duhur ndaj këtyre njerëzve. Dhe ky pretendim mbështetet mbi legjendat të cilat janë përcjellë dhe janë trashëguar deri në ditët e sotme njofton Portalb.

SKENDERBEU DHE LIQENI

“Gjergj Kastrioti Skenderbeu, i lodhur nga beteja e ashpër që kishte zhvilluar me ushtrinë otomane, kishte urdhëruar ushtrinë e tij që të çlodhet në bregun e liqenit. Nga lodhja atë e kishte zënë gjumi,por çe do kur pengesë për gjumë të rehatshëm i ishte bërë zhurma e bretkosave të këtij liqeni. Legjenda thotë se Skënderbeu i mallkoi bretkosat dhe liqeni mbeti pa bretkosat e tij, kurse Skënderbeu dhe ushtria e tij vunë gjumë në sy dhe u çlodhën”.

E njohur, ndërkaq është edhe legjenda për dy vëllezërit që kanë jetuar në gjirin e Zaumit. Njëri prej tyre ka pasur shumë dele e tjetri një kec. Një natë ata janë grindur mes veti për kullosat. Vëllai i deleve është kacafytur me atë të kecit, duke i thënë se për shkak të kecit të tij delet nuk kanë për të kullotur Dy vëllezërit janë zënë keq, saqë janë përgjakur. Sipas gojëdhënës për shkak të kësaj ngjarje “një mjegull e madhe është ngritur nga mali Galiçicë në drejtim të liqenit dhe kanë fryrë erëra të forta,ndërsa dëshmitar i kësaj rrëmuje të krijuar është Shkëmbi i Kuq, në të cilin edhe sot shihen gjurmë të kuqe dhe të bardha nga qumështi i derdhur dhe gjaku i vëllezërve”.

Mbi këtë legjendë mbështetet edhe sot e kësaj dite besimi për ekzistimin e të ashtuquajturit “Trekëndëshi i dreqit”, që nga peshkatarët e këtushëm quhet edhe trekëndëshi i vdekjes. Dhe quhet i tillë sepse shpesh papritmas aty paraqiten dallgë të forta, të larta, të cilat përbijnë gjithçka që u del përpara. Ky trekëndësh ndodhet 50 metra larg bregut të liqenit në mes kishës Shën Zaum, dhe fshatit Tërpejcë, ku liqeni arrin thellësinë maksimale prej 288 metrash. Në “Trekëndëshin e dreqit” uji ka përbirë disa peshkatarë, ndërsa disa të tjerë mezi kanë shpëtuar.

LIIQENI I OHRIT MUZE FOSILESH TË GJALLA


Liqeni i Ohrit është i pasur me specie të ndryshme të botës bimore dhe shtazore. Edhe pse po bëhen përpjekje për ta ruajtur florën dhe faunën e këtij liqeni, shumë specie të tij rrezikojnë të zhduken. Në radhë të parë kjo ndodh për shkak të ndotjes së Liqenit, si dhe për faktin tjetër që në të peshkohet në mënyrë të pakontrolluar. Sidomos është shqetësuese gjendja ma ngjalat që janë një nga speciet endemike më karakteristike të liqenit të Ohrit.

Këto banore të vjetra të Liqenit të Ohrit dita ditës po mbesin më pak në numër, për shkak të specifikës së shumimit të tyre. Kështu, shkencëtarët theksojnë se karakteristikë e veçantë e tyre është shumimi. Ato shumohen në detin Sargas, në Amerikën Jugore. Në fakt ngjalat nga Liqeni, në kohën kur duhet të shumohen ndjekin rrugën e rrymave të ngrohta. Ato nëpërmjet të Drinit të Zi kalojnë në Detin Adriatik, pastaj në Detin Mesdhe.

Nëpër ngushticën e Gjiblartarit ngjalat kalojnë në Oqeanin Atlantik dhe më pas në detin Sargas, ku shumohen. Dhe gjëja më interesante për këtë gjallesë është fakti që ngjalat e reja përsëri nisen nga deti Sargas dhe ndjekin të njëjtën rrugë për të ardhur në vendin e origjinës së tyre, në Liqenin e Ohrit. Interesant, ndërkaq është edhe fakti që ngjala e Liqenit të Ohrit, është e vetmja që mund të përballojë jetesën edhe në ujërat e ëmbël dhe të njelmët.

Rrugëtimi i gjatë, deteve dhe oqeaneve është përcaktues për ekzistencën e kësaj specie interesante të Liqenit të Ohrit. Dhe pikërisht pengesat që u dalin kohëve të fundit ngjalave, në këtë rrugëtim, ndikojnë në pakësimin e numrit të tyre, ndërsa ekspertët thonë se ato mund të sjellin edhe deri tek zhdukja e kësaj specie të rrallë. Pengesa më të mëdha në këtë drejtim, janë pendat e hidrocentraleve që janë ndërtuar në rrjedhën e lumit Dri, nëpër të cilin kalon ngjala.

Krahas ngjalës, specie interesante dhe specifike që jeton në Liqenin e Ohrit është Trofta karakteristike e këtij Liqeni, që është e vetmja e këtij lloji në të gjithë rruzullin tokësor. Edhe kjo specie rrezikon ekzistencën e vet për shkak të peshkimit të kontrolluar në të dy anët e kufirit të Liqenit të Ohrit, edhe përkundër faktit që Liqeni si pasuri e veçantë natyrore është mbrojtur nga UNESKO. UNESKO eka propozuar moratorium për peshkim në liqenin e Ohrit, thonë specialistët, me qëllim të ruajtjes së florës dhe faunës së tij.

Shkenctarët pohojnë se bota e gjallë e peshkut në Liqenin e Ohrit është përfaqësuar me 17 lloje peshku autoktonë, nga të katër familjet, ndërsa të rëndësishme për ekonominë e peshkimit janë 10 lloje peshku, dy prej të cilëve: trofta dhe belushka, por edhe ngjala e ashtuquajtur Europiane, mbajnë primatin në këtë drejtim.

Analizat e kryera që nga viti 1929 nxjerrin në pah përhapjen e madhe prej 45, 6 përqind të troftës në mesin e të gjithë botës shtazore të Liqenit të Ohrit, Këto analiza gjithshtu kanë konfirmuar se në pjesën e Maqedonisë të tij, në një hektarë peshkohen 9 kg trofta”, thonë shkencëtarët.

Trofta e liqenit të Ohrit arrin një peshë prej më shumë se 10 kg, ndërsa specialistët kanë konkluduar se në kushtet në të cilat tani ndodhet Liqeni , ky peshk arrin peshën prej 1 kg në vitin e shtatë të jetës së vet.

Për të ruajtur fondin e peshkut në Liqenin e Ohrit, duke pasur parasysh, midis të tjerash, edhe peshkimin e pakontrolluar, që nga viti 1934 deri më tani, me qëllim të ruajtjes së kësaj pasurie, për efekt të shumimit artificial në liqe, janë hedhur mbi 500 milionë trofta në formë larve apo deri në moshën 18 muajshe. Sakaq, në ujrat e Liqenit të Ohrit për këtë qëllim hidhen edhe ngjalat.

Laramaninë e botës shtazore të liqenit e plotëson edhe shpuzorja e rrumbullakët e cila jeton në 40 deri në 50 metra thellësi të Liqenit të Ohrit, thonë ata që njohin florën dhe faunën e këtij Liqeni, ndër më të vjetrit në Evropë.

Liqeni i Ohrit shquhet për një përmbajtje të lartë llojesh të botës shtazore, thonë ata dhe shtojnë se karakteristike për këtë faunë është endemizmi i theksuar, ndërsa fauna e peshkut përfaqësohet me 17 lloje autoktone.

Ai është i veçantë jo vetëm nga origjina ( ka origjinën nga depresioni gjeotektonik i 2-3 milionë viteve më parë të Dinaritëve perendimore), thellësia, tejdukshmëria, por edhe për florën dhe faunën që përmban. Liqeni është shpallur, në vitin 1980, nga UNESKO, si vend i trashëgimisë të kulturës natyrore, me rëndësi botërore.

NJË CM. UJË LIQENI, 1 MILION KV ENERGJI

Liqeni i Ohrit është kontribues i zhvillimit ekonomik të vendit. Krahas rëndësisë së madhe të tij për turizmina ai ka edhe një potencial të madh energjetik. Me ujin e tij ushqehen hidrocentralet ”Glloboçica” dhe “Shpile”, si dhe hidrocentralet në Shqipëri.

Ekspertët pohojnë se një centimetër ujë i liqenit është i barabartë me 1 milion kilovat energji elektrike, ndaj gjithmonë i kushtohet rëndësi ruajtjes së kuotës së ujit në këtë liqe, jo vetëm për këtë shkak, por edhe për të ruajtur ekosistemin e tij.

Kuota maksimale e sasisë së ujit është 693.75 metra lartësi mbidetare, ndërsa minimalja 693.10 metra. Pra, ndryshimi i sasisë së ujit që mund të shfrytëzohet është 65 centimetra. E vetmja pendë e cila kontrollon dhe ruan ekuilibrin e Liqenit të Ohrit është penda e cila ndodhet në derdhje të liqenit në Drinin e Zi. Ajo ka një gjerësi prej 25 metrash dhe varësisht nga nevoja hapet ose mbyllet.

Ekziston një marrëveshje midis Maqedonisë dhe Shqipërisë për shfrytëzimin e ujit të Liqenit që rrjedh nëpërmjet Drinit të Zi,por kjo marrëveshje nuk cenon asnjëherë kuotën e ujit të liqenit. Kjo ka qenë kështu edhe gjatë vitit 2005 kur Shqipëria vuante mungesën e energjisë elektrike, ndërsa portat e pendës së Drinit u hapën aq sa tolerojnë kuotat për ruajtjen e ekosistemit, por edhe ujit të nevojshëm për funksionimin e dy hidrocentraleve : “Glloboçica” dhe “Shpile” edhe pse atëherë u lejua rrjedhja maksimale e ujit për në Shqipëri.

Leave A Response »